Golat e tij nuk mbetën pa tërhequr vëmendjen. Anis Mehmeti është drejt ngjitjes një nivel më lart në futbollin anglez, e pritet të jetë në kategorinë e dytë, në Championship. Mediat britanike njoftojnë se mesfushori ofensiv shqiptar është shumë pranë arritjes së akordit me Bristol Sitin, dhe se klubi i tij i deritanishëm, Uajkombi, do të përfitojë të paktën 1 milionë paundë për kartonin. Dhjetorin e kaluar, trajneri i tij Ejnsuorth tha se për Mehmetin do të duheshin të paktën 5 milionë paundë, por duket se ka rënë dakord për shumë më pak dhe se gjithçka ka përfunduar. Mesfushoi 22-vjeçar është pranë vizitës mjekësore tek Bristoli. Mehmeti ka qenë i dalluar këtë sezon në kategorinë e tretë me 9 gola dhe 3 asistë në 27 ndeshje. i lindur në Angli, ai e nisi karrierën në Akademinë e Fulhamit, dhe provoi edhe akademitë e Totenhemit apo Noruiçit. Që nga viti 2020 ka qenë pjesë e Uajkombit, për të cilin ka realizuar gjithsej 19 rrjeta në dy sezone e gjysmë. Mehmeti ka qenë pjesë e Shqipërisë U19 dhe U21, ndërsa pritet të ndiqet nga trajneri i kombëtares, Silvinjo, për të vendosur nëse do të jetë pjesë e kombëtares së të rriturve.
Sfidanti.al