Myrto Uzuni, 31 janari përcakton nëse mbetet te Granada, apo “aktivizohet” klauzola 18-milionëshe!

Golat nuk rreshtin, dhe po ashtu interesimi rritet. Myrto Uzuni është në formën e jetës dhe po përsërit tek Granada, në një shkallë më të lartë, atë që bëri tek Ferencvaroshi në Hungari. Për sulmuesin kuqezi ka pasur oferta këto ditë nga Anglia dhe Turqia, por vetë ai bashkë me klubin kanë vendosur të presin qershorin. Janari nuk do të ketë të reja pavarësisht “trokitjeve” në derë të Lidsit, Brentfordit apo Gallatasarajit. Detyra e Uzunit është në ndihmojë Granadën që të ngjitet në La Ligë dhe deri tani me 14 gola e ka realizuar më së miri.

Kjo e ka bërë shënuesin më të mirë të kampionatit, kandidatin kryesor për Këpucën e Artë, ndërsa ekipi i tij është në pozita të mira për të arritur elitën. Me Granadën, Uzuni ka rinovuar deri në 2026, dhe siç është normë në Spanjë, kontrata ka edhe klauzolat e transferimit që për 27-vjeçarin kuqezi janë 12 milionë për në ligën e dytë dhe 18 milionë euro për në La Ligë. Mediat në qytetin e tij shkruajnë me shaka se “Uzuni është një tip i lumtur në Los Larmenes””, dhe kjo sepse ai që të 14 golat i ka shënuar në stadiumin e tij.

Sfidanti.al