Kampionia e Italisë, Milani, pësoi humbjen më të rëndë të sezonit në fushën e Lacios, në Serinë A, duke u dorëzuar plotësisht vetëm pak ditë pas disfatës në Superkupë. Skuadra nga Lombardia u mposht 4-0 në stadiumin “Olimpiko” të Romës duke hequr dorë praktikisht nga synimi për të mbrojtur titullin e fituar vjet.
Vendasit patën epërsi të plotë që nga fillimi deri në fund duke shënuar nga dy gola në çdo pjesë loje. Në formacionin e Lacios ishte edhe zv. kapiteni i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, që u aktivizua deri në fund duke bërë një paraqitje mjaft të mirë.
Disfata e Milanit vjen vetëm një ditë pasi edhe skuadra tjetër nga Lombardia, Interi, u mund nga Empoli. Pas këtyre rezultateve, mund të thuhet se Napoli është edhe më i sigurt në rrugën drejt titullit kampion, sepse kryeson Serinë A me 50 pikë, ndaj 38 të Milanit. Lacio, ndërkaq, ka 37 pikë duke pasur pozita të mira në zonën Champions.
Sfidanti.al