Kristjan Asllani, i katërti shqiptar që fiton trofe në Itali pas Lushtës, Kryeziut e Canës!

Përpara tij kanë qenë shumë të paktë. Jo pak shqiptarë kanë luajtur në futbollin italian, por vetëm 4 ia kanë dalë të shënojnë emrin e tyre në një trofe. Deri përpara mbrëmjes së Riadit, i fundit ishte Lorik Cana që fitoi Kupën e Italisë me Lacion në 2013, pikërisht në derbin e kryeqytetit ndaj Romës. Heronjtë e vjetër padyshim janë të paharruar si Naim Kryeziu që u shpall kampion me Romën në 1942, ndërsa vazhdonte Lufta e Dytë Botërore, e po aso kohe edhe i shkëlqyeri Riza Lushta që i dha Juventusit Kupën në 1943 duke shënuar 3 gola kundër Milanit. Në një finale pikërisht ndaj Milanit, ja ku kemi edhe shqiptarin e radhës triumfator në Apenine. Kristjan Asllani mori medaljen e artë të fituesit të Superkupës së Italisë, pas finales së madhe të Interit.

Mesfushori 20-vjeçar u aktivizua vetëm pak minuta, por kjo nuk i prish shumë punë për vetë moshën dhe për ekipin ku luan. Festimet ishin të ligjshme për trofeun, ndërsa një djalë i lindur në Elbasan dhe i emigruar që i vogël, po bën çmos të jetë protagonist në futbollin e madh. Mesfushori reagoi krenar më pas në profiling e tij në Instagram. “Asgjë për të shtuar”, ishte komenti. Ky sukses pritet të jetë thjesht një nxitje më shumë që Kristjan Asllani t’i bëjë vend vetes në një repart me Brozoviçin, Çalhanoglunë, Barelën e Mkitarianit, ndërsa është në kërkim të golit të tij të parë në kampionat.

Sfidanti.al