Si do të kthehet Mesi në Paris pas talljes së Argjentinës me Mbapenë!

Gjithçka nisi që në Katar. Kampionët e rinj të botës patën në shënjestër një emër mbi të gjithë, pikërisht kundërshtarin e tyre më të fortë, Kilian Mbapenë. Në dhomën e zhveshjes, futbollistët e Argjentinës u tallën me sulmuesin e Francës duke mbajtur me ironi një minutë heshtje në kujtim të humbjes së tij, sipas ftesës së bëri portieri Martinez, ndërsa nuk e lanë të qetë as kur u kthye në atdhe. Me gjasë, Martinezi dhe ekipi në përgjithësi, patën arsye, sepse pak kohë përpara Botërorit Mbape u shpreh se “futbolli në Amerikën e Jugut nuk duket aq i përparuar” dhe kjo u kuptua si nënvleftësim për Brazilin e pikërisht Argjentinën.

Ishte i njëjti personazh, Martinezi, që e vuri në lojë Këpucën e Artë të Botërorit duke mbajtur në dorë një kukull me fytyrën e Mbapesë. Gjithsesi, ajo që spikati më shumë ishte që Mesi u ndodh ngjitur me të, dhe nuk reagoi. Pati media që komentuan se kapiteni i Argjentinës u ndje i kënaqur. Të mos harrojmë se Mesi është shok ekipi me Mbapenë tek Paris SG, dhe shumë tifozë në të gjithë botën po pyesin veten sesi do të jetë takimi mes tyre, kur argjentinasi të kthehet në Francë. Për më tepër, thuhet se ata nuk janë aspak shokë, ndonëse pakti është që të luftojnë për të njëjtin qëllim, për Championsin.

Gjithsesi, Mesi dhe Mbape mund të marrin zemër nga ajo që ka ndodhur 16 vjet në shkuara pas Kupës së Botës në Gjermani në 2006. Atëherë, dy shokë ekipi si Kristiano Ronaldo dhe Uejn Runi u bënë armiqtë më të betuar pasi portugezi u bë një nga shkaktarët që anglezi u përjashtua me të kuq në përballjen në çerekfinale.

Sidoqoftë, me kthimin tek Mançester Junajtidi gjithçka u harrua dhe Kristiano e Runi arritën kulmin së bashku duke fituar tituj në Premier Ligë dhe vetë Championsin në 2008-ën.

Sfidanti.al