Lionel Mesi, profili i një fituesi të paracaktuar nga fati!

Ëndrra dhe vuajtja e tij më e madhe ishte kjo. A do të mundej që një ditë Lionel Mesi të ishte me fanelën e Argjentinës po aq legjendë se me atë të Barcelonës? Njeriu I paracaktuar nga fati për të qenë Perëndia e re e futbollit sakrifikoi gjithçka nga vetja, që nga mosha e adoleshencës, për ta realizuar këtë ëndërr. Pasi fitoi Kupën e Botës U20 dhe pasi mori medaljen e artë olimpike me Argjentinën U23 në Lojrat e Pekinit në 2008, u duk se portat ishin hapur për lavdinë. Më e lehtë ta thuash sesa ta bësh.

Kur 17 vjet më parë, Mesi debutoi në kombëtaren e madhe, historia zgjati më pak se një minutë. Ai u përjashtua me karton të kuq dhe u duk një ogur I keq. Mallkimi vazhdoi në kupat e botës, pasi Argjentina e tij u mund nga Gjermania në finalen e 2014-ës në Brazil. Katër vjet më vonë, në Botërorin rus, gjërat shkuan edhe më keq pasi Franca e Mbapesë ia preu rrugën që në raundin e dytë. Gjithsesi, fati vonon, por nuk harron, apo siç thuhet nëse e kërkon pa fund, ia del.

“E dija se një ditë Zoti do të ma dhuronte këtë trofe. Nuk e dija kurrë dhe pritja ishte shumë e gjatë, por ia dolëm. Vuajtëm shumë, por e fituam”, ishin fjalët e tij.

Tashmë, ai mund ta jetojë I qetë krahasimin me Diego Armando Maradonën, gjeniut të cilit ëndërroi t’i ngjante, dhe më në fund përsëriti fitoren e tij të Kupës së Botës. E përditshmja spanjolle “Marka” nuk harroi t’i krahasonte dy fotot identike emblematike të kapitenëve me trofeun në duar. Çfarë do të bëjë Mesi tani?

“Në të vërtetë asgjë tjetër që mund të bëj nuk do të jetë më e madhe se kaq, fituam Kupën e Amerikës, Kupën e Botës, – tha ai, – E arrita tani të fund. Mendoj se po I afrohem fundit, por nga ana tjetër futbollin e kam pasion, kënaqem me këtë që bëj, kënaqem të jem në kombëtare, në këtë grup. Dua të luaj edhe një ndeshje më shumë duke qenë kampion I botës”. Misterin sesa gjatë do të vazhdojë Mesi me kombëtaren, do ta sqaroi vetë ai pasi të përfundojë festimet.

Sfidanti.al