Daliç: Kjo fitore është për atë që nisi gjithçka, Çiro Bllazheviçin!

Një sportivitet që jo gjithmonë e shohim kur vjen puna tek trajnerët. Gjithsesi, tekniku i Kroacisë, Zllatko Daliç, jo më kot cilësohet si një “zotëri”, përveçse një profesionist shumë i mirë, dhe e tregoi veten sërish pas finales së vogël të fituar nga ekipi i tij ndaj Marokut në Botëror. “Me të vërtetë që ky është bronz, por për neve është si medalje e artë, – tha Daliçi, – Ia dolëm mbanë në një ndeshje të vështirë, por ishte një paraqitje e shkëlqyer. Kjo është fitore për gjithë kombin tonë kroat, për të gjithë ata që na mbështesin, që na duan, që bëjnë tifo për ne në të gjithë botën. Në dy Botërorët e fundit kemi fituar dy medalje, përgëzime lojtarëve të mi. Ky sukses i dedikohet gjithashtu atij që e nisi gjithçka, Çiro Bllazheviçit. Shef, kjo është për ty”. Trajneri veteran, që sot është 87 vjeç, drejtoi Kroacinë në Kupën e parë të Botës që pas shpalljes së pavarësisë, në 1998 në Francë duke fituar medaljen e bronzit. Bllazheviçi deklaroi pas fjalëve të Daliçit se “me këto që më tha, më ka zgjatur jetën”.

Sfidanti.al