Fiton krenaria e Kroacisë, ballkanasit janë të tretët në Botë në Katar!

Për ta kjo ndeshje nuk ishte aspak pa vlerë. Tifozët kroatë e festuan me ndjenja të fuqishme fitoren e kombëtares së tyre që tashmë është e treta në Botë në futboll. Edhe pse nuk u arrit finalja e madhe si 4 vjet më parë në Rusi, sërish për publikun e vendit ballkanas, kjo nuk ishte aspak finale e vogël. Në Zagreb, Split, Shibenik, Zadar e kudo tjetër, njerëzit  u ndjenë tepër krenarë që ekipi i një vendi me më pak se 4 milionë banorë u la pas vetëm nga Argjentina e Franca, e që fitoi medaljen e dytë radhazi në kupat e botës, dhe të tretën në 6 pjesëmarrje gjithsej.

Kroacia e Luka Modriçit mundi 2-1 Marokun me golat e shënuar nga Gvardiol dhe Orshiç, në një sukses që ishte plotësisht i merituar.  Ekipi i trajnerit Zllatko Daliç u tregua superior ndaj kundërshtarit me lojë dhe me raste, e madje mund të kishte fituar me rezultat më të thellë. Me këtë finale mbyllet epoka e brezit të artë të udhëhequr nga Modriç, njëri nga lojtarët më të mirë në historinë e futbollit. Në të ardhmen, Kroacia do ta ketë shumë më të vështirë, por gjithsesi kryesorja është që një vend i vogël vazhdon të arrijë suksese të mëdha. Këtë shpreh edhe kremtimi i tifozëve kudo nëpër Kroaci.

Sfidanti.al