Ronaldo gati të braktisë Portugalinë, 93% e tifozëve nuk e duan titullar!

Pyetja ishte e menjëhershme pasi dolën këto pamje. Ku është Kristiano Ronaldo? Kështu u habitën gazetarët dhe tifozët, ndërsa superylli i Portugalisë nuk ishte në stërvitje me ekipin e parë pas fitores 6-1 ndaj Zvicrës. Gjithsesi, kjo ishte e keqja më e vogël, pasi më e madhja ishte që Kristiano paska refuzuar që të bashkohet me lojtarët reserve, sipas vendimit të trajnerit Fernando Santos. Jo vetëm kaq, por mediat raportojnë se sulmuesi 37-vjeçar ka pasur përplasje të ashpër me trajnerin dhe ka qenë gati të bënte gati valixhet për t’u larguar fare nga ekipi kombëtar dhe nga Kupa e Botë.

Kjo, vetëm 2 javë pasi ai mbërriti si hero në Katar, në krye të Portugalisë, me pretendimin krenar për të shkëlqyer e për të fituar titullin botëror. Duket se Kristianon e ka goditur fort lënia në stol në duelin e raundit të dytë, duke e hedhur në fushë vetëm rreth 20 minuta. Më pas, ai bëri veprimin demonstrativ duke dalë i vetmuar nga stadiumi, ndërsa futbollistët e tjerë portugezë shkuan të festonin me tifozët. Kjo duket se e ka mbushur kupën, dhe sipas një sondazhi, plot 93 për qind e tifozëve portugezë nuk e duan Ronaldon në formacion për sfidën ndaj Marokut. Mesa kuptohet, legjenda po e mbyll keq karrierën me kombëtaren, siç bëri tek Mançester Junajtidi, ndërsa këto polemika mund të dëmtojnë shanset e Portugalisë për të fituar titullin.

Sfidanti.al