Mediat ia “vulosin” Arabinë, por “enturazhi” i Ronaldos e mohon!

Dhimbjen duhet ta ketë pasur të madhe që po i largohet këtyre majave. Kristiano Ronaldon nuk do ta shohim më në elitën e futbollit europian, dhe ai vetë nuk do t’i ndjejë më këto emocione, por ndoshta janë 500 milionë arsye që e kanë bindur që të largohet nga parajsa. Legjenda portugeze ka firmosur tashmë në Arabinë Saudite me Al Nasrin, diçka që mediat spanjolle e bëjnë punë të mbaruar. Sipas raporteve, CR7 do të fitojë 500 milionë euro në një kontratë 2.5-vjeçare, pra janë paratë arsyeja e fortë që ai po pranon të shkojë në një nivel futbolli shumë më të ulët, me gjithë respektin për kampionatin saudit dhe Championsin e Azisë. Në kontinentin e vjetër, Ronaldo triumfoi 5 herë në Champions me Mançester Junajtidin dhe me Realin e Madridit. Gjithsesi, njerëzit pranë tij thonë se asgjë nuk ka përfunduar.

Po ashtu fitoi 5 Topa të Artë, duke qenë i dyti lojtar më i madh në histori në këtë çmim individual pas Lionel Mesit që ka shtatë. Ai padyshim që do të luajë në një ekip me infrastrukturë të shkëlqyer, me dhjetëra mijë tifozë që do ta adhurojnë dhe në një ekip që do t’ia krijojë të gjitha kushtet. Gjithsesi, përpara sesa të nisë stërvitjen në Arabinë Saudite në janar, Ronaldo ka një objektiv të madh për të realizuar. Legjenda dëshiron të fitojë Kupën e Botës me Portugalinë, trofeun e vetëm të madh në karrierë që ende i mungon.

Sfidanti.al