Një ditë më parë ishte trajneri Mauricio Sarri që foli në emër të Napolit për akuzat që po i bëhen Juventusit për favorizime në Serinë A. “Napoli, Milani dhe Interi ankohen për atë që u ndodh në stadiumin e Torinos, por ndoshta janë të çmendur”, bëri ironi ish-drejtuesi i Empolit. Të dielën në mbrëmje erdhi radha e presidentit napolitan, Aurelio De Laurentis. Edhe ai u ngacmua nga gazetarët po për këtë temë, dhe përgjigja erdhi siç pritej.
“Lufta për titullin, – tha me pyetje, – shikoni parullat e tifozëve”. De Laurentis e pati fjalën për veprimin e tifozëve napolitanë në ndeshjen ndaj Krotones në “San Paolo”. Në minutën e 31-të u shkaktua një ndërhyrje e gabuar ndaj Insinjes në zonën e rreptësisë së miqve, dhe pikërisht në atë kohë në njërën prej tribunave të stadiumit u shfaq parulla “Penallti për Juventusin”. Natyrisht, penalltia u dha për Napolin dhe Insinje shënoi e më pas u fitua një tjetër penallti që e ktheu në gol Mertens, ndërsa Insinje mbylli ndeshjen me golin e tretë.
Napoli ka 60 pikë, 10 më pak sesa Juventusi, por mbetet 6 pikë larg Interit për të ruajtur të paktën vendin e tretë që të dërgon në Champions. Sa për Ligën e Kampionëve, De Laurentis nuk pati asnjë pendesë për humbjen ndaj Realit. “Flitet për kampionët e botës, lojtarët edhe mund të kenë pasur frikë, – tha ai, – Reali ka qenë gjithnjë aty, ndërsa Napoli i sotëm nisi të ndërtohej vetëm 12 vjet më parë”.
Sfidanti.al