Natyrisht, kombëtarja përbëhet nga 11 lojtarë në fushë dhe ata të stolit, ndonëse mediat zvicerane kërkojnë që kapiteni Granit Xhaka dhe sulmuesi Xherdan Shaqiri të japin shpirtin në fushë dhe të ndihmojnë Zvicrën që të kualifikohet në çerekfinalet e Kupës së Botës në Katar. Do të ishte hera e parë që nga viti i largët 1954 kur Botërori u organizua pikërisht në Zvicër. Dy lojtarët me origjinë shqiptare nga Kosova, ishin ndër më të mirët kundër Serbisë me Shaqirin që shënoi gol dhe ndihmoi në golin e tretë, ndërsa ata shkojnë drejt rekordit të ndeshjeve me “Natin”. Në krye është Hainc Herman me 118 ndeshje me kombëtaren, Shaqiri ka 111 dhe Xhaka 110. Po ashtu, Shaqiri ka 27 gola me përfaqësuesen, vetëm 2 rrjeta larg vendit të katërt në renditjen e të gjitha kohëve që e mban Andre Abeglen.
Sfidanti.al