NBA, Donçiç fiton duelin me Kërrin, tripëll dabëll me 41 pikë!

Kampionët ishin sërish të tillë edhe pse humbën, ndërsa përballë tyre qëlloi një lojtar i madh në formën e sezonit. Golden Stejt Uorriorsat i patën që të gjithë basketbollistët e tyre shënues në fushën e Dallasit, plot 10 të tillë, por u detyruan të pranonin humbjen e ngushtë 113-116. Luka Donçiç ishte heroi kryesor i ndeshjes së NBA-së në Teksas, me 41 pikë të shënuara dhe me një tripëll dabëll. Supertalenti slloven ka 5 tripëll dabëlla këtë sezon, duke qenë më i miri i kampionatit. Ai shtoi 12 topa në tabela e 12 asistë, si dhe 4 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje, ndërsa ishte i saktë nga loja dhe për tri pikë. Dobësia e vetme çuditërisht ishin gjuajtjet e lira! Stefën Kërri u përgjigj me 32 pikë, 5 topa në tabela e 5 asistë, por e humbi këtë duel. Dallasi ka tani 10 fitore e 10 humbje në Perëndim në vendin e 9-të, ndërsa Golden Stejti është i 10-ti me 11 fitore e 11 humbje.

Sfidanti.al