Ishte thjesht një fitore dhe aq, ndërsa në futboll do të thuhej “fitorja e nderit”. Golden Stejt Uorriorsat më në fund e arritën një sukses jashtë fushe pas 8 humbjeve radhazi këtë sezon, dhe meritori kryesor ishte kapiteni i vjetër, Klej Tompson. Basketbollisti që ka provuar dëmtime të rënda ishte në formën e tij më të mirë duke shënuar 41 pikë, e duke pasur dorën të palëkundur për tripikësha, me 10 realizime në 13 prova (77 për qind). Ai shtoi 4 topa në tabela, 3 asiste dhe 2 vjedhje topi, ndërsa në krahun e tij ishte ylli kryesor i ekipit, Stefën Kërri me 33 pikë, 6 topa në tabela, 15 asistë, 3 vjedhje topi e 2 bllokime gjuajtjesh. “Vëllezërit Splesh” ishin si dikur në ditët e tyre më të mira kur fitonin 3 tituj në 4 vjet me Golden Stejtin. Suksesi ishte 127-120 në Hjuston.
Sfidanti.al