Siç thuhet, ka qenë gjithmonë një simbol, një “flamur”, një model dhe një udhëheqës. Gerard Pike ka qenë gjithmonë më i madh sesa mosha e tij, ndonëse edhe kjo e fundit u bë kaq e madhe saqë e detyroi të linte futbollin. Në përfundim të ndeshjes së mbrëmshme në “Kamp Nou” ndaj Almerisë, pas fitores 2-0 të Barcelonës, qendërmbrojtësi “kule” tha disa fjalë zemre, që mund t’i thotë vetëm një “djalë shtëpie”. “Së pari, falenderime për të gjithë shokët, trajnerët, fizioterapistëve, punonjësve të klubit, – tha ai, – falenderoj drejtuesit për këta vjet. Në jetë kur bëhesh i madh, ndonjëherë dëshiron të mos vazhdosh të ecësh përpara, dëshiron të ndalesh. Një raport me kaq shumë dashuri, me kaq shumë pasion, ndoshta ishte momenti për të pasur pak më shumë hapësirë, më shumë ajër. Jam i bindur se në të ardhmen do të kthehem. Ika edhe më parë dhe u ktheva. Kjo nuk është një lamtumirë. Kam lindur këtu, do të vdes këtu. Rroftë Barça”.
Sfidanti.al