Levandovski shkëputet në garën e golit, në mbrëmjen që Barça iu përgjigj Realit!

U thanë shumë gjëra për këtë skuadër, për trajnerin e saj dhe për sulmuesin kryesor. Mediat dhe tifozët kështu e kanë, kalojnë nga deliri në dëshpërim të thellë, dhe kritikat ishin të forta për Barcelonën, Ksavin e Levandovskin pas “leksionit” që morën disa ditë më parë nga Reali në “Bernabeu”. Gjithsesi, humbja 1-3 në Madrid nuk ishte fundi i botës, siç Ksavi e dinte mirë dhe mjaftoi fitorja 3-0 ndaj Vijarrealit për të treguar se katalanasit nuk kanë “vdekur”, përkundrazi. Në një punë në proces e sipër, tekniku “blaugrana” e shprehu qartë se “një fitore ndaj Vijarrealit do të ndryshojë gjithçka”. Kështu edhe ndodhi, dhe tani mediat (edhe ato madrilene) po shprehen me superlativa për Barçën që “la pas krizën” dhe për Levandovskin që “po shkëputet në garën për Këpucën e Artë në La Ligë”. Barcelona ka vetëm 3 pikë më pak se Reali në renditje, 25 ndaj 28, ka golaverazh më të mirë, dhe ylli polak ka 11 rrjeta ndaj 7 të Borha Iglesiasit.

Sfidanti.al