Shijen e parë e ka provuar dhe padyshim që dëshiron të mos mbetet me kaq. Elhan Kastrati u thirr në kombëtare fillimisht nga Kristian Panuçi e më pas nga Edi Reja, ndërsa duket se do të jetë ai pasardhësi i vërtetë i Etrit Berishës dhe konkurrent i Tomas Strakoshës. Portieri 25-vjeçar vazhdon të shkëlqejë në Itali, duke qenë një nga më të mirët në rolin e tij në Serinë B, me ekipin e Çitadelës. Ai mori notë shumë të mirë, 7.2, në barazimin shtëpiak 0-0 ndaj SPAL-it të Ferrarës, diçka që e bën në vazhdimësi, ndërsa ishte ndër lojtarët shqiptarë më të dalluar në Europë pas Sadikut, Ramadanit apo Mehmetit. Thuajse në çdo përballje, Kastrati është dalluar dhe Çitadela ka pësuar më pak gola sesa i takon për vendin që mban në renditje. Djaloshi me origjinë nga Hasi ka arritur moshën ku nis pjekuria e portierit, ndonëse ai është dalluar që më parë, duke pritur edhe penallti që kur ka qenë vetëm 21 apo 22 vjeç. Mbrëmjen e sotme, ai do të ketë një provë të fortë në Kupën e Italisë në orën 21:00, pasi Çitadela do të jetë në fushën e Torinos, ekip i Serisë A. Elhan Kastrati shpreson të vazhdojë kështu, dhe pasi u aktivizua si titullar në kombëtare në miqësoren ndaj Estonisë qershorin e kaluar, të ketë mundësi të tjera si kuqezi.
Sfidanti.al