Ishte mbrëmja e tij në të gjitha kuptimet. Për mirë apo për keq, Vedat Muriqi ishte protagonist në sfidën e mbrëmjes në La Ligën e Spanjës mes Elçes dhe Majorkës. Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës fillimisht humbi një gol të sigurt, dhe më pas pati mundësi të shënonte me anë të një penalltie. Për fat të keq, gaboi sepse portieri vendas e priti gjuajtjen e tij, por ndeshja për Muriqin nuk kishte përfunduar ende. Pasi Elçe kaloi në epërsi në pjesën e parë, Muriqi pati një tjeëer shans për të shënuar, kur ekipi i tij fitoi një tjetër 11-metërsh. Këtë herë, sulmuesi 28-vjeçar nuk gaboi, por tundi rrjetën me një gjuajtje të saktë e të fortë. Gjithsesi, ndeshja nuk përfundoi aspak mirë për të, edhe pse Majorka e mori të paktën barazimin 1-1. Në minutat e fundit, Muriqi bëri një ndërhyrje të gabuar ndaj një kundërshtari, dhe arbitri e përjashtoi me karton të kuq. Kjo, pasi pamjet filmike u shqyrtuan me ndihmën e VAR-it. Muriqi mbetet i rëndësishëm për Majorkën këtë sezon duke shënuar disa gola, por tashmë nuk do të luajë ndeshjen e ardhshme sepse do të jetë i pezulluar.
Sfidanti.al