Pas Izraelit, Juvja nuk është ende “e vdekur”, por shumë pranë eliminimit!

As tifozët më dyshues nuk e kishin menduar se do të vuanin kaq shumë. Që nga viti 2013, nuk kishte ndodhur që Juventusi të eliminohej në fazën e grupeve në Champions. Kjo gjë ende nuk është konfirmuar, pasi matematikisht “zebrat” kanë ende mundësi, por diferenca me Paris SG dhe Benfikën është 5 pikë kur janë në lojë vetëm 6. Me Maks Alegrin nuk ka qelluar kurrë një dështim i tillë, pasi i fundit në 2013 ishte me Konten pas humbjes 0-1 në Stamboll me Gallatasarajin. Gjithsesi, trajneri i njohur është një “yll që po këputet” dhe epokat e finaleve në 2015 dhe 2017 janë larg.

Humbja 2-0 në fushën e Makabit të Haifës në Izrael ishte një katastrofë, por e paralajmëruar. Omer Acili (Atzili), që pati polemika para ndeshjes me Shqipërinë, ishte autor i të dy golave në pjesën e parë, ndërsa italianëve iu dëmtua edhe Di Maria dhe mund të mungojë deri në ndërprerjen e ardhshme të kampionatit. “La Gazeta delo Sport” shkruan se në rrezik është edhe kualifikimi për në Ligën e Europës, ku mund të shkojë Makabi. Izraelitët shënuan dy gola, goditën shtyllën, patën edhe raste të tjera dhe që të gjitha në pjesën e parë. Vështirë se ky ekip mund të ngrejë kokë.

Sfidanti.al