Verstapeni nuk di të dalë kampion bote, po nuk kaloi dramë për “infarkt”!

Ky njeri nuk mundet që të fitojë kurrë në kushte normale. Pas anktheve të pafund të sezonit të kaluar, Maks Verstapen fillimisht e preku, pastaj e humbi, dhe në fund e fitoi titullin botëror në Formula 1. Piloti holandez i Red Bullit triumfoi në Çmimin e Madh të Japonisë në pistën e Suzukës, në një garë të dominuar nga reshjet e dendura dhe nga aksidenti. Përplasja që në nisje bëri që konkurrimi të shtyhej me orë, dhe rrezikoi të anulohej për fare, por pastaj organizatorët ndërruan mendje. Kampioni i botës e bëri të vetën, duke dalë fitues në vijën e finishit, nën flamurin me kuadrata, por drama ishte pas shpatullave të tij. Sharl Lëklerku i Ferrarit u duk se e mori vendin e dytë duke lënë pas pilotin tjetër të Red Bullit, Sergio Perezin, por nuk qe e thënë të përfundonte ashtu.

Komisarët e garës e cilësuan të gabuar veprimin e ferraristit dhe e dënuan me 5 sekonda, gjë që e zbriti në vend të tretë. Kjo i dha titullin Verstapenit. “E çfarë mund të them, – u shpreh ai pas gare, – e pabesueshme për ne. Është e veçantë që ia dalim këtu në Suzuka, përpara tifozëve japonezë”.  Maksi mundi të thoshte vetëm kaq pasi u pushtua në një përqafim të madh nga teknikët e tij të skuadrës, dhe nga e dashura. Ky titull ishte vërtet dramatik, por me gjasë jo sa ai që Verstapeni fitoi vjet, dhe që ishte i pari, pikërisht në xhiron e fundit të garës së fundit të sezonit në Abu Dabi, ku pas një tjetër spektakli për atak kardiak, parakaloi ish-kampionin dhe rivalin e tij të madh, Ljuis Hamilton. Historia e tij duket se do të jetë gjithashtu e jashtëzakonshme.

Sfidanti.al