Nga Kopliku te Panathinaikosi, Enis Çokaj në gjurmët e Myrto Uzunit!

Nga Kopliku ku lindi e quajti sukses të madh që mbërriti tek Laçi. Gjithsesi, Enis Çokaj ishte shumë më tepër ambicioz sesa të kishte sukses thjesht në Superligën shqiptare. Kur ishte 19-20 vjeç shkoi tek Lokomotiva e Zagrebit në Ligën e Parë të Kroacisë, duke u kthyer në një sukses. Tashmë, në moshën 23-vjeçare, pas tre sezoneve mjaft të mira kroate, Çokaj hodhi hapin e radhës. Do të jetë futbollist i Panathinaikosit në elitën e Greqisë. Sipas informacionit, kartoni i tij blihet nga klubi i kryeqytetit grek për 1.5 milionë euro. Shqiptari nga Malësia e Madhe bindi skautët dhe drejtuesit athinjotë me paraqitjet e tij, me golat dhe asistet në një ekip si Lokomotiva e Zagrebit ku kanë luajtur këta vjet plot 7 shqiptarë. Me gjasë, Çokaj do të ndjekë gjurmët e Myrto Uzunit që kaloi në Hungari tek Ferencvaroshi, e tani ndodhet në Spanjë me Granadën. Çokaj ka arritur të tregojë veten tek Shqipëria U21, duke shënuar edhe gol në fushën e Kosovës, por ende nuk ka marrë një ftesë nga kombëtarja. Shpreson që ta ketë shpejt.

Sfidanti.al