Matis Tel lë pas jo vetëm Musialën, por edhe Bekenbauerin, Hënesin, Rumenigen dhe Gerd Mylerin!

Dihet se rekordet vendosen për t’u thyer, dhe kjo ka ndodhur gjithmonë, edhe pse ka nga ata rekorde që mbeten shumë gjatë në fuqi. Gjithsesi, përsa i përket golshënuesit më të ri të Bajernit në Bundesligë dhe në të gjitha konkurrimet, “steka” është ngritur vazhdimisht. Matis Tel u bë rekordmeni pasi shënoi në kampionat ndaj Shtutgartit, duke qenë në moshën 17 vjeç e 136 ditë. Ai la pas me 69 ditë rekordin e Xhamal Musialës vendosur pak kohë më parë. Sulmuesi francez, i marrë për 30 milionë euro nga Rena, u bë më i riu shënues i Bajernit në çdo garë kur realizoi ndaj Viktorias së Këlnit në Kupën e Gjermanisë në moshën 17 vjeç e 127 ditë. Tel është shumë më i shpejtë se legjendat më të mëdha të klubit si Bekenbaer (18 vjeç, 8 muaj, 26 ditë), Uli Hënes (18 vjeç, 9 muaj, 29 ditë), Karl-Hajnc Rumenige (18 vjeç, 11 muaj, 13 ditë) apo Gerd Myler (18 vjeç, 11 muaj, 15 ditë).

Sfidanti.al