Kjo histori ka nisur që vjet, por duket se po lë pasoja. Mjaft klube të Abisnet Superligës dhe po ashtu të Kategorisë së Parë, mësohet se kanë probleme me pagimin e gjobave të vendosura nga komisionet e Federatës Shqiptare të Futbollit. Kjo histori kujtohet pikërisht tani, kur Komisioni i Disiplinës vendosi gjobat e radhës, ndërsa burime në Federatë pohojnë se ka klube që e kanë problem të paguajnë. Sipas këtyre burimeve, në Superligë janë të tillë Teuta apo Erzeni, ndonëse nuk ka konfirmim zyrtar nga institucioni. Theksohet se mospagimi i gjobave ndikon direkt në federimin e lojtarëve dhe se ka pasur bisedime deri në nivelet e larta të Federatës. Ndëshkimet financiare për durrsakët, por edhe për Partizanin, kanë qenë të shumta, madje të përjavshme dhe arrijnë në nivelin 50 000 deri në 100 000 lekë, kuptohet të reja. Kjo, sepse dy klubet kanë refuzuar të vendosin në uniformën e lojtarëve logon e Abisnet Superligës. Vendimi i fundit i Disiplinës, i botuar pikërisht sot, është për 50 000 lekë gjobë ndaj Teutës e Partizanit, pikërisht për këtë shkak, ndërsa Tirana, Kukësi e Vllaznia u dënuan me nga 50 000 lekë për sjellje të gabuar të spektatorëve në stadium.
Sfidanti.al