Uilliams: Më ka mbetur dhe pak kohë, ju e dini që unë jam Serena!

Emocionoi miliona admirues të këtij sporti me deklaratën e pak ditëve më parë. Serena Uilliams deklaroi se turneu US Open në Nju Jork do të ishte i fundit në karrierën e saj të gjatë e të shkëlqyer, dhe publiku amerikan nxitoi të blinte biletat për ta parë të paktën edhe një herë. Gjithsesi, pas dy ndeshjeve të para në Arenën “Artur Ejsh”, veterania 40-vjeçare nuk duket aspak si një teniste që shpejt do të dalë në pension. Pasi mundi më parë malazezen Koviniç, ajo triumfoi edhe ndaj numrit 2 të botës. Serena fitoi 2-1 me sete ndaj tenistes nga Estonia, Anetë Kontaveit, duke shfaqur një nivel shumë të lartë përballë një rivaleje mjaft të fortë. A do të mundë ajo që të barazojë rekordin botëror të Grand Slemeve? Uilliamsi ka 23 tituj të tillë, ndërsa rekordi është 24, pra ajo do t’ia dalë vetëm nëse fiton tani në Nju Jork.

“Nuk është se kam shumë nxitim që të largohem nga tenisi, – tha kampionia e madhe, – ju e dini se unë e dua shumë publikun e kësaj arene. Është vërtet fantastik. Nuk besoj se më ka mbetur shumë për të luajtur, por do ta shohim më pas se çfarë do të ndodhë. Unë po luaja ndaj numrit 2 në botë, por edhe unë jam një lojtare shumë e mirë. Kur humba setin e dytë, u shqetësova se do të eliminohesha, ndaj edhe dhashë maksimumin për fitoren”. Nesër Serena do të luajë në raundin e tretë ndaj një rivaleje që duket më e lehtë, ndonëse për të fituar titullin do të duhet të mposhtë teniste shumë të forta.

Sfidanti.al