Roma e Murinjos fiton, por kryesorja është që luan mirë!

Trajneri nuk ka qenë gjithmonë spektakolar në futbollin e tij, edhe pse kur i është dashur apo kur e kanë detyruar yjet ka vepruar ndryshe. Kjo ndodhi disa herë tek Interi e Çelsi, dhe shumë më tepër tek Reali i Madridit. Edhe me Romën gjendja është e tillë që pragmatizmi i Zhoze Murinjos duhet të “shartohet” me stilin e lojës sulmuesve që gjithmonë ka pasur skuadra romaniste, për të cilën më shumë vlen përvoja dhe karakteri i trajnerit portugez. Ky “shartim” u duk edhe në fitoren 1-0 në fushën e Salernitanës në nisje të Serisë A, me Romën që së pari luajti mjaft mirë dhe madje përballë një kundërshtari që pati vullnet dhe sulme.

Nikolò Zaniolo humbi 2-3 raste për gol, Paulo Dibala goditi shtyllën dhe pati rast për të realizuar, Abraham po ashtu shpërdoroi përpara portës, ndërsa golin e vetëm e shënoi mesfushori Kristante, që luajti në vend të Matiçit. Murinjo pati në fushë lojtarë të rëndësishëm si Zaniolo, Abraham, Dibala, Pelegrini, por edhe Spinacola, Smolling apo Rui Patrisio. Ai pati stolin e fortë pasi aktivizoi Matiçin, El Sharauin dhe Vajnaldumin. Duket se Roma do të jetë ekip i fortë këtë sezon, dhe jo më kot Alegri thotë se “jam shumë kurioz për ekipin e Murinjos”.

Sfidanti.al