Enis Çokaj kërkon majat, hyn në formacionin e javës në Kroaci!

Është titullar i padiskutueshëm i ekipit dhe padyshim që mendon për më lart. Enis Çokaj vlerësohet lart tek Lokomotiva e Zagrebit, dhe e ka ndihmuar ekipin me gola, asiste dhe me paraqitjet e tij në mesfushë, siç bëri edhe në javën e dytë të kampionatit të Kroacisë. Futbollisti 23-vjeçar shërbeu asistin për golin e barazimit të shënuar nga Blazh Boshkoviç 10 minuta para fundit të ndeshjes ndaj Osijekut, që i hapi rrugën fitores 2-1. Kjo paraqitje e tij bëri që faqja zyrtare e Ligës së Parë kroate ta përfshinte në formacionin e javës. Mesfushori shqiptar madje ishte një nga futbollistët më të vlerësuar në këtë njëmbëdhjetësh, pasi mori notën 8, duke u lënë prapa vetëm nga shoku i tij i ekipit, Boshkoviç dhe nga sulmuesi i Dinamos së Zagrebit, Orshiç. Në formacion për Lokomotivën ishte edhe Jon Mersinaj, ndërsa në stol Salihu, Tuci, Smakaj dhe Kallaku. Çokaj, që është bërë edhe pjesë e kombëtares shqiptare, synon të shkëlqejë sa më shumë tek Lokomotiva për të kaluar në ndonjë ekip më të njohur në Kroaci, por ndoshta edhe në ndonjë ligë më të rëndësishme të Europës.

Sfidanti.al