Tirana në Ligën e Konferencës, Zrinjski i Mostarit nuk është një “shëtitje”!

Të dyja skuadrat kanë një të përbashkët, që janë eliminuar në një moment nga i njëjti kundërshtar, Dudelanzhi. Tiranës i qëlloi mbrëmë, ndërsa Zrinjskit të Mostarit që në verën e vitit 2006, madje pas fitores 1-0 në Luksemburg dhe humbjes 0-4 në fushën e vet pas kohës shtesë. Me gjasë, Tirana mund të mendojë që të kualifikohet për në turin e tretë të Ligës së Konferencës, që do të ishte një sukses, edhe pse kundërshtari nuk është nga më të lehtët. Në 11 vitet e fundit, ekipi boshnjak (etnikisht, kroat) ka gati 30 ndeshje në Europë në krahasim me vetëm 13 të Tiranës, një diferencë jo e vogël, ndonëse më e paktë sesa ajo ndaj Dudelanzhit. Për më tepër, Zrinjski ka ditur të eliminojë së fundmi Utrehtin e Holandës dhe Olimpijan e Ljubljanës, të fitojë në fushën e vet me Malmoen, të eliminohet vetëm pas penalltive ndaj APOEL-it të Limasolit dhe të eliminohet pikërisht mbrëmë nga Sherifi i Tiraspolit me vetëm 1 gol diferencë (0-0, 0-1). Sfida e parë e raundit të dytë të Ligës së Konferencës, 21 korrik në “Arenën Air Albania” (ose në “Elbasan Arenë”), dhe ndeshja e kthimit në Mostar në 28 korrik.

Sfidanti.al