Klean Shuqja, kampionia e Shqipërisë që ka 6 vjet pa Sallë shahu për t’u stërvitur!

Me këtë sport ka nisur që 4 vjeç, dhe kushtet pritej të përmirësoheshin. Klean Shuqja e realizoi ëndrrën e saj duke u shpallur kampione e Shqipërisë në shah për femra, por ndoshta askush nuk e di se ajo stërvitet në shtëpinë e saj. Vajza 16-vjeçare ka 12 vite që punon me trajnerin Shkëlqim Çela, e dikur ushtroheshin tek Salla e Shahut në stadiumin “Qemal Stafa” që tani nuk është më. Edhe në këto kushte, e harruar nga shteti, pa infrastrukturë dhe me një Federatë me fond minimal, Klean Shuqja ia ka dalë të nderojë Shqipërinë disa herë në arenën ndërkombëtare, e tani u shpall kampione e vendit. Sfida e radhës është Olimpiada e shahut në Indi, ku ajo do të jetë pa trajnerin e saj. Çela shpreson që sportisja e saj të bëhet Mjeshtre e FIDE-s, dhe kjo ndodh nëse fiton 60 për qind të ndeshjeve. Për herë të fundit që Kleani ka pasur një sallë për t’u stërvitur ka qenë 6 vjet më parë, ndërsa ky ambient nuk ekziston më, i shembur bashkë me stadiumin “Qemal Stafa”, ndërsa shahu nuk është kompensuar për humbjen.

Sfidanti.al