Si mund të presin tek Bajerni që Mane të fitojë 3 Topa të Artë?!

Ai është 30 vjeç dhe ndonëse është në kulmin e karrierës, nuk mund të mendohet që t’ia dalë kaq shpesh në garën për trofeun e “Frans Futbollit”, ndërsa në konkurrim janë Benzema, Mbape, Haland apo Salah. Gjithsesi, Bajernit të Mynihut i paska shkuar ndërmend kjo gjë kur ka bërë ofertën e fundit për Sadio Manenë duke “trokitur” tek Liverpuli. Bavarezët kanë propozuar 30 milionë paundë stërlina, rreth 35 milionë euro, por nga këto 6.5 milionë paundë stërlina do të jepeshin vetëm nëse Mane fitonte 3 herë … Topin e Artë! Habi e madhe për klubin anglez dhe për mediat britanike të cilat nuk harruan t’i kujtonin gjermanëve se Bajerni ka vetëm 3 lojtarë që e kanë fituar Topin e Artë, Gerd Myler, Franc Bekenbauer dhe Karl-Hajnc Rumenige, dy prej të cilëve nga 2 herë, por asnjëri 3.

Sfidanti.al