Interi do të mbledhë 16 milionë euro nga De Gregorio, Pirola e Sensi për të marrë Kristjan Asllanin!

Ky është plani i klubit nga Lombardia dhe shpresa është që t’ia dalin. Trajneri Simone Inzagi e dëshiron me patjetër Kristjan Asllanin, që do të jetë një plotësim i rëndësishëm dhe një pasardhës i Marcel Brozoviçit në “San Siro”. Zikaltërit kanë fituar 4 milionë euro nga shitja e kartonit të portierit Mikele De Gregorio tek Monza. Klubi milanez shpreson të fitojë rreth 2 milionë euro apo më shumë nga kartoni i mesfushorit Lorenco Pirola, që ishte tek Monza sezonin e kaluar në formë huazimi, ndërsa për Stefano Sensin dëshira është për të fituar sa më shumë, ndonëse e di se nuk do t’ia dalë siç i pëlqen. Interi e mori mesfushorin për 25 milionë euro në 2020, por futbollisti nuk arriti të shkëlqente dhe tani do të ishte sukses nëse transferimi do të arrinte në 10 milionë euro. Në total, bëjnë rreth 15-16 milionë euro, të cilat administratori i deleguar, Bepe Marota, do t’i përdorë për të marrë Asllanin pa pasur nevojë të rëndojë buxhetin e klubit.

Sfidanti.al