Nuk dihet nëse do të bëhet ndonjëherë një Kristiano Ronaldo, pra nëse do të arrijë në 117 gola, por gjithsesi kjo nuk është thelbësore. Harri Kejn do të jetë shpejt jo vetëm shënuesi më i mirë i kombëtares së Anglisë, por edhe një nga sulmuesit më të suksesshëm në historinë e ekipeve përfaqësuese të futbollit. Kapiteni i “tre luanëve” shënoi golin e tij të 50-të me fanelën angleze në barazimin 1-1 në Gjermani për Ligën e Kombeve duke qenë vetëm 3 rrjeta larg rekordit që mbahet nga Uejn Runi. Ai la pas legjendën Bobi Çarlton, me të cilin ishin barabar me nga 49 goditje të sakta, dhe legjenda tjetër Geri Lineker arriti në 48. Sulmuesi i Totenhemit ka një mesatare shumë të mirë me 0.7 gola për ndeshje sepse ka luajtur 71 herë për Anglinë. Shpejt ai do t’i afrohet Pelesë (79 gola me kombëtaren), Pushkashit (84) dhe Mesit (aktualisht 86). Si mesatare, Kejni nuk do ta arrijë dot sulmuesin anglez, Vivien Uduord (Woodward) që pati 29 gola në 23 ndeshje (1.26 mesatarja), Nat Lofthauzin me 30 gola në 33 ndeshje apo edhe Xhimi Grivsin me 44 gola në 57 ndeshje.
Sfidanti.al