Superliga, në pritje të “Estradës II”? Skenar rivaliteti..

Tifozët shqiptarë të Superligës janë mësuar prej kohësh me “estrada” (madje mund të shkruhet duke ia hequr fare thonjëzat). Shpesh një apo dy ekipe kanë hyrë në fushë duke bërë gjoja se po respektonin lojën më popullore në botë. Ka ndodhur që shkalla e “estradës” të ketë qenë më e vogël, kur aktrimin e kanë bërë jo të gjithë lojtarët, por vetëm disa.

Publiku nuk është i qartë sesi do të jetë “shfaqja” e radhës, që pritet të zhvillohet në “Loro Boriçi” dhe “Zeqir Ymeri”. Sipas “gojëve të liga”, spektaklin në Shkodër pritet ta japin ata që do të jenë në fushë, ndërsa në Kukës, gjithashtu do të luhet në fushë, por vetëm nga njerëzit e veshur ndryshe nga futbollistët, pra nga arbitrat. Shkodra zien nga akuzat e brendshme për lënie ndeshjeje ndaj Skënderbeut, ndërsa besohet se “zotat e futbollit” do ta duan barazim duelin në Kukës, ose maksimumi do të duan një fitore të vendasve.

Natyrisht, këto i themi pak me “zë të ulët”, pasi asgjë nuk ka ndodhur, veçse pas asaj që ngjau mes Kukësit e Tiranës (apo siç ka ngjarë më parë mes klubesh të tjerë), mirë është që të thuhen me zë sa më të lartë.

B.Kuka