Nuk i pëlqyen aspak pamjet e haresë në ballkonin e ndërtesës përballë Marienplacit (Marienplatz). Futbollistët e Bajernit ishin në qiellin e shtatë sepse fituan Bundesligën, por ish-presidenti i tyre, Uli Hënes, u zemërua shumë, madje u tërbua. Ish-ylli i fushës dhe i zyrave nuk e fshehu aspak këtë tërbim duke e bërë publik, ndërsa në Gjermani flasin për “luftë civile tek Bajerni”. “Fakti është se ne duhet t’u kërkojmë lojtarëve më shumë llogari, – tha ai gjatë festimeve, – tek ne i është kërkuar gjithnjë llogari trajnerit dhe drejtorit sportiv, por kjo duhet të ndodhë edhe me futbollistët. Fakti është që qysh nga Krishtlindjes shumë nga lojtarët tanë nuk kanë luajtur mirë”. Nuk mund të mendojë ndryshe një gjigand i futbollit që ka fituar 3 Bundesliga e 3 Champions si lojtar, dhe 24 tituj në Bundesligë dhe 3 Champions si drejtues. Në total, Hënesi ka 27 Bundesliga, 6 Champions, 15 Kupa të Gjermanisë, 6 Superkupa të Gjermanisë, 1 Kupë UEFA, 2 Superkupa të Europës, dhe 3 Kupa të Botës për klubet, pra gjithsej 60 trofe gjatë gjithë jetës së tij tek Bajerni.
Sfidanti.al