Biletat dalin në shitje nga UEFA, kur nuk mund t’i blesh dot më!

Nis sot gjuetia për një vend në “Arenën Air Albania”. UEFA ka hapur zyrtarisht procesin e shitjes së biletave për finalen e Ligës së Konferencës që do të zhvillohet në Tiranë, duke sqaruar edhe sesa prej tyre janë në treg, dhe sesi është llogaritur shpërndarja. Faqja në rrjet e qeverisë europiane të futbollit informon se në shitje onlajn do të jenë gjithsej 16 500 bileta nga 20 000 gjithsej që është llogaritur kapaciteti i stadiumit. Nga këto, publiku mund të blejë 8 500, ndërsa 8 000 të tjera janë ndarë për tifozët e dy ekipeve finaliste, Romës dhe Fejënordit, që do të kenë nga 4 000 secili grup.

Është llogaritur që rreth 6 000 bileta do të jepen falas për ata përkrahës të Romës dhe Fejënordit që kanë qenë besnikë të ekipeve të tyre, duke e ndjekur edhe në kohën e pandemisë së koronavirusit. Biletat janë ndarë në katër kategori, në bazë të tribunës së stadiumit, dhe çmimet do të jenë nga 25 euro për vendet pas portave, deri në 125 euro për vendet në tribunat me pamje më të mirë. Nuk ka informacion të saktë sesa aplikime janë bërë deri tani, por është e sigurt se numri i tifozëve që do të kërkojnë të jenë në finale do të jetë disa herë më i madh sesa kapaciteti i stadiumit.

Sfidanti.al