Finalja e Tiranës, edhe me 1500 euro nata nuk gjen vend në hotele!

Në kushte normale pagesa është shumë më poshtë. Në hotelet e Tiranës, zakonisht gjen dhoma me rreth 50 euro nata, ndërsa për mbrëmjen në prag të finales së Ligës së Konferencës ka ndodhur një shtrenjtim vërtet i jashtëzakonshëm. Sipas të dhënave që gjen në faqen onlajn të prenotimeve të dhomave për bujtinat e kryeqytetit shqiptar, një natë ka arritur deri në mbi 1.7 milionë lekë të vjetra, që do të thotë afërsisht 1 500 euro. Përtej këtij kulmi, çmimet e dhomave janë rëndom mbi 1 milionë lekë të vjetër, ndërsa të duket normale kostoja nga 550 deri në 800 mijë lekë, gjithnjë të vjetra. Kaq do të duhet të paguajnë tifozët e huaj, por edhe ata shqiptarë që jetojnë jashtë dhe që nuk kanë një banesë apo një të njohur e të afërm në Tiranë.

Gjithsesi, kërkesa për të ndjekur finalen mes Romës dhe Fejënordit, e para që mbahet në vendin tonë, është shumë e madhe. Sipas të dhënave të vetë hoteleve, kanë mbetur shumë pak dhoma të lira, ndërsa duhen ende 2 javë deri në ditën e ndeshjes. Për këtë rritje të çmimeve dhe për jehonën në publik dhe në media, ka reaguar edhe Autoriteti i Konkurrencës, duke konstatuar se vërtet ka një rritje të madhe të çmimeve për dhomat, ndërsa ka ftuar pronarët e hoteleve që të ofrojnë shërbime më të arsyeshme të orientuara drejt kostos. Gjithsesi, ky Autoritet mund të ndëshkojë hotelet me gjoba deri në 10 për qind të xhiros, në bazë të një ligji të vitit 2003, gjë që pak besohet se mund të ndikojë në uljen e çmimeve.

Sfidanti.al