Klopi qesh me Guardiolën: Gjithë Anglia me ne? Vetëm gjysma e Liverpulit na do!

Trajneri i Mançester Sitit nuk e ka për herë të parë që të bëjë sarkazëm, apo ironi të tillë, dhe jo më kot kolegu i tij, Diego Pablo Simeone thoshte se “këta që flasin bukur, të shajnë edhe duke të lavdëruar”. Pep Guardiola e përsëriti “mëkatin” duke ngacmuar Liverpulin, e duke bërë rolin e “viktimës”. “E gjithë Anglia është kundër Mançester Sitit, – tha trajneri katalanas, – të gjithë duan që ne ta humbim titullin dhe ta fitojë Liverpulin”. Në të kaluarën, ai bëri ironi me kritikat duke thënë se “ne fitojmë sepse kemi shumë, shumë para”, apo kur shigjetoi Liverpulin në shtator 2019, ndërsa të kuqtë u shkëputën në Premier Ligë duke thënë se “urime Liverpul që e fitove titullin”. Jurgen Klopi u ngacmua për thënien e Guardiolës se të gjithë duan që Liverpuli i tij të fitojë titullin. “Në të vërtetë, ndërsa kemi luajtur në stadiume të ndryshme të Premier Ligës nuk më është krijuar kjo përshtypje, – tha gjermani, – madje, vetëm gjysma e qytetit të Liverpulit dhe e krahinës së Mersejt duan që ne të dalim kampion”.

Sfidanti.al