Si erdhën punët, Bajerni shpreson që ta ndihmojnë adoleshentët!

Mesa duket nuk pritet të bëhen blerje të mëdha si Roben e Riberi, apo si Levandovski e Mario Gëce. Bajerni i Mynihut, dhe sidomos Bundesliga, nuk janë më aq shumë tërheqës sa vitet e kaluara dhe drejtuesit bavarezë po mendojnë për dy lojtarë të rinj, që t’i “rrisin” vetë dhe t’i bëjnë “burra”. Njëri prej tyre është 16-vjeçari i Akademisë së Barcelonës, Iker Kordoba. Adoleshenti është qendërmbrojtës dhe “prodhim” i La Masisë duke u bërë shumë i vlerësuar në futbollin e të rinjve. Kordoba thuhet se mund të luajë në qendër të mbrojtjes, në të majtë, madje të ketë edhe rolin e një “numri 6” në mesfushë. Kontrata përfundon në qershor dhe ndonëse dëshira është për të qendruar në “Kamp Nou” bisedimet për rinovimin nuk kanë shkuar shumë mirë, sipas mediave bavareze.

Futbollisti tjetër është sulmuesi Hugo Ekitike që luan në Francë për Reimsin. Ai është 19 vjeç dhe ka shënuar 10 gola në 21 ndeshje, diçka shumë e mirë për moshën. Pritet që Bajerni ta marrë Ekitiken nëse Levandovski vendos të qendrojë, sepse do të ketë nevojë për një sulmues plotësues për polakun.

Sfidanti.al