Morant është ylli i ri i plej ofit në NBA, Memfisi ëndërron me të!

Jo më kot cilësohet si basketbollisti më i përmirësuar në ligën më të fortë të botës. Xha Morant u bë i treti lojtar në historinë e NBA-së me më shumë se një ndeshje me mbi 45 pikë të shënuara pa mbushur ende moshën 23-vjeçare. Ai realizoi atë që më parë e kishin bërë vetëm Kobi Brajant dhe Lebron Xhejmsi. Me 47 pikë, Moranti i dha fitoren Memfisit në ndeshjen e dytë të raundit të dytë të plej ofit në shtëpi ndaj Golden Stejtit. Ai pati edhe 8 topa në tabela, 8 asistë dhe 3 vjedhje topi, ndërsa e humbi topin vetëm 2 herë. Një paraqitje e shkëlqyer e basketbollistit të ri që shënoi të 15 pikët e fundit të Memfisit në një ndeshje të vështirë, të fituar në fund 106-101. Kjo edhe pse mori një goditje pranë syrit të majtë në periudhën e tretë. “Ne kishim nevojë për fitore, – tha ai, – ne bëmë gjithçka për të fituar”. Rezultati i plej ofit është 1-1, ndërsa dy ndeshjet e radhës luhen në fushën e Golden Stejtit.

Sfidanti.al