Leister-Roma, dueli i parë për finalen e Tiranës në Ligën e Konferencës!

Mbeten edhe dy hapa deri në “Arenën Air Albania”. Liga e Konferencës luan sot në orën 21:00 ndeshjet e para gjysmëfinale, ndërsa fituesit do të jenë në finalen që do të zhvillohet në Tiranë në 25 maj.  Përballja më emocionuese zhvillohet në stadiumin e Leisterit në Angli, ku vendasit presin Romën e Zhoze Murinjos. Për fat të keq, mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla, nuk pritet të jetë titullar, të paktën kështu janë raportimet e mediave nga Italia. Lajmet janë shumë të mira për italianët pasi Zaniolo kthehet nga dëmtimi, ashtu si edhe Kristante. Roma kaloi në çerekfinale Bodo Glimtin e Norvegjisë pas fitores 4-0 në stadiumin “Olimpiko”.

Murinjo u ngacmua se kur ishte tek Totenhemi u shkarkua pasi arriti finalen e Kupës, pra a kishte frikë nëse kjo mund të përsëritet.

“Jo, jo, – tha portugezi duke qeshur, – nuk kam frikë se ndodh. Shqetësimi im ka lidhje me ndeshjen. Mendoj se qyteti i Romës dhe klubi ynë e vlerësojnë punën tonë për të krijuar një skuadër të fortë. Mendoj se e meritojmë finalen, por që t’ia dalim duhet të fitojmë ndaj një rivali shumë të fortë. Nuk kam frikë që të fitoj gjysmëfinalen dhe të shkarkohem”.

Leisteri, ndërkaq, ka disa mungesa si mesfushorin Ndidi, mbrojtësin Bertrand apo edhe Sumare. Gjithsesi, sulmuesi kryesor Xhemi Vardi kthehet pas dëmtimeve të shpeshta këtë sezon. “Do të përpiqemi të marrim një avantazh për ndeshjen e kthimit në Itali, – tha trajneri i vendasve, Roxhers, – kjo është detyra jonë. Së pari duhet të luajmë mirë, të luajmë shpejt dhe shpresojmë që me përkrahjen e publikut t’ia dalim. Ky është një rast i madh, në gjysmëfinale europiane, ndaj një skuadre me emër, me një trajner të shquar. Gjithsesi, kualifikimi vendoset në Itali”. Të mbiquajturit “Dhelprat” arritën gjysmëfinalen e parë europiane pasi eliminuan PSV Ajndhovenin e Holandës. Në gjysmëfinalen tjetër, po në 21:00, përballen Fejënordi e Marseja.

Formacionet e mundshme:

Leister (4-1-4-1): Shmajkel, Pereira, Fofana, Evans, Kastanje, Mendi, Medison, Tilemans, Djusbëri-Holl, Barns, Vardi.

Roma (3-4-2-1): Rui Patriosio, Mançini, Smolling, Ibanjez, Karsdorp, Kristante, Mkitarian, Zalevski, Zaniolo, Pelegrini, Abraham.

Sfidanti.al