NBA, një Golden Stejt i tillë mund të jetë i frikshëm!

Nikola Jokiç mund të shpallet (ndoshta) lojtari më i mirë i sezonit të rregullt, por mesa duket ose ekipin nuk e ka për të qenë, ose vetë nuk është në formën e duhur në plej of. Ylli serb i Denverit provoi një zhgënjim të madh në ndeshjen e dytë të raundit të parë të plej ofit në fushën e Golden Stejtit, pas një humbjeje 106-126. Me Stefën Kërrin, Klej Tompsonin, Drejmond Grinin dhe Xhordan Pulin në formë shumë të mirë, Uorriorsat mund të jenë problem për këdo. Kërri hyri në lojë nga stoli e luajti vetëm 23 minuta, por kjo mjaftoi që të shënonte 34 pikë, plus 3 topa në tabela, 4 asistë, 1 vjedhje topi e një bllokim gjuajtjeje. Pul shtoi 29 pikë, 5 tabela e 8 asistë, kapiteni Tompson 21 pikë dhe Drejmond Grin mori notë të lartë për lojën në mbrojtje dhe për 6 asistët. Jokiç, ndërkaq, shënoi 26 pikë, por gaboi shumë në gjuajtje, ndërsa i ka humbur të 8 gjuajtjet për tri pikë në dy ndeshjet e para, diçka që Denveri e vuajti. Seria shkon në Denver dhe ekipi nga Kolorado duhet të ndryshojë shumë që të ketë shpresë për kualifikim. Golden Stejti kryeson 2-0.

Sfidanti.al