Në Angli thonë se sulmuesi belg ka vetëm pak ndeshje në dispozicion për të shpëtuar karrierën e tij në “Stemford Brixh”. Rikthimi i Romelu Lukakut në Premier Ligën angleze nuk ishte aspak triumfal, ndërsa forma e tij ka rënë në mënyrë dramatike. Pas rasteve të humbura ndaj Realit në Londër në Champions, belgu humbi një tjetër mundësi të pastër në gjysmëfinalen e Kupës së Anglisë ndaj Kristël Palasit në “Uembli”. Blutë e Londrës fituan 2-0, por Lukaku ka kohë që ka harruar të shkruajë emrin në tabelën e shënuesve. Ai humbi një gol të sigurt pas topit të marrë nga Timo Verner, dhe ishte fat që rezultati ishte 2-0. Nuk dihet nëse Lukaku do të kthehet tek Interi, siç po flitet, apo ndoshta trajneri i tij i preferuar, Antonio Konte, mund ta marrë tek Totenhemi, por për momentin “aksionet” e belgut janë në kuotat më të ulëta. Mediat angleze shkruajnë se trajneri Tomas Tuhel duhet të jetë çmendur fare me sulmuesin, ndërsa gjermani e ka humbur krejtësisht durimin. Ai e bëri “copë” Zhorginjon për gabime shumë më të vegjël sesa ai i Lukakut.
Sfidanti.al