Legjenda Patrik Vieira mund ta lerë Arsenalin e tij jashtë Championsit

Në “Hajbëri” ka qenë një dashuri e tifozëve, dhe futbolli i tij ishte ai i “kohëve të bukura të dikurshme”. Patrik Vieira mbetet “kapiteni i hekurt” i Arsenalit edhe pse sot është trajneri i Kristël Palasit, dhe mbrëmjen e djeshme ia prishi jo pak qejfin ish-tifozëve të tij. Në derbin e Londrës, Vieira doli fitues pikërisht ndaj Arsenalit madje me rezultatin 3-0, duke i shkaktuar një tronditje “topçinjve” dhe një ndalesë që mund t’u prishë punë në garën e tyre për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Mateta, Aju dhe Zaha (me penallti) ishin autorët e golave në “Selhërst Park”. Vendasit ishin shumë cinikë duke mbajtur topin vetëm 31 për qind, por duke pasur 5 gjuajtje në kuadrat ndaj 3 të miqve. Arsenali, gjithsesi, e ka fatin në duart e veta pasi ka 54 pikë aq sa Totenhemi duke pasur një ndeshje më shumë për të luajtur sesa Spërsat. Nëse e fitojnë atë, virtualisht janë në vend të katërt pra në Champions. Uest Hemi e Man. Junajtidi duken shumë më të vonuar. Gjithsesi, Patrik Vieira luajti për veten dhe për ekipin e tij, si dhe për tifozët e tij të rinj, që ishin mbi 25 000 në stadium. Fitorja bëri që Kristël Palasi të ngjitet në vendin e 10-të në Premier Ligë me 37 pikë, pozicioni më i mirë që mundtë ketë këtë sezon.

Sfidanti.al