Huliganizmi nuk ka qenë ndonjëherë problem i madh në futbollin skocez, ndonëse kur vjen puna për rivalitetin Sëlltik-Rejnxhërs gjendja është e ndryshme. Edhe në të kaluarën, ultrasit e dy palëve janë përplasur duke qenë secili përfaqësues i një pjese të qytetit të Gllazgout. Tifozët e Rejnxhërsit këtë të diel e rindezën armiqësinë duke hedhur sende në fushë, copa xhami dhe letra pa fund, si dhe duke iu përveshur edhe lojtarëve kundërshtarë, edhe atyre të ekipit të tyre. Këto skena e nxinë derbin e Gllazgout në fushën e Rejnxhërsit, në stadiumin “Ajbroks Park”, që u fitua 2-1 nga Sëlltiku. Aron Ramsej kaloi vendasit në epërsi që në 3’, por Rogiç barazoi në 7’ dhe Karter-Vikens përmbysi rezultatin në 43’.
Me largimin e trajnerit Stiven Xherrard, duket se është larguar edhe momenti i ngjitjes për Rejnxhërsin, që vjet fitoi titullin duke ndërprerë një seri të gjatë të Sëlltikut. Legjenda e Liverpulit i dha një gëzim të madh tifozëve pas 9 viteve, ndërsa në 2012 klubi falimentoi dhe u zbrit në kategorinë e katërt. Duke u kthyer te ky sezon, Sëlltik kryeson kampionatin me 79 pikë ndaj 73 të “policëve” duke qenë shumë pranë titullit. Sëlltiku ka 51 tituj kampion si dhe 40 Kupa, ndërsa është e vetmja skuadër skoceze dhe e para britanike që ka fituar Kupën e Kampionëve (sot Championsi). Rejnxhëri mbetet rekordmen i titujve me 55 (37 kupa), si dhe ka fituar Kupëne Kupave të Europës.
Sfidanti.al