Kur Bruklinit nuk i mjaftojnë as 55 pikët e Kevin Durantit

Frymëzimi ishte i plotë dhe ekipi kishte nevojë për të. Njëri nga yjet me të vërtetë më të mëdhenj të NBA-së, Kevin Durant, shënoi 55 pikë në Arenën e Atlantës, por as kjo nuk i mjaftoi ekipit të tij për të fituar. Bruklini humbi 115-122 ndaj Hoksave (Skifterëve) vendase, në radhët e së cilëve shkëlqeu si përherë Trej Jang me 36 pikë, 6 topa në tabela e 10 asistë. Për Bruklinin lart ishte edhe Kajri Irving me 31 pikë, por gjithë lojtarët e tjerë shënuan gjithsej 29 pikë, dhe kjo i dënoi me humbje. Bruklini është sot një fuqi në rënie në NBA, dhe largimi i Xhejmd Hardenit ka luajtur gjithashtu një rol. Ashtu si Lejkërsat, edhe basketbollistët nga Nju Jorku investuan shumë këta dy vjet për të forcuar skuadrën, por projekti duket se po dështon. Netsat janë në vend të 10-të në Lindje, dhe nuk shkojnë direkt në plej of, por nëpërmjet një miniturneu përpara tij.

Sfidanti.al