Në Botëror mund të ketë edhe shqiptarë, Maqedonia e Veriut synon mrekullinë!

Mund të ketë edhe lojtarë shqiptarë në Katar. Maqedonia e Veriut do të synojë sonte që të realizojë një tjetër mrekulli në plej ofin e Kupës së Botës pas asaj që bëri në Palermo ndaj Italisë. Një gol i Trajkovskit siguroi kualifikimin historik ndaj të kaltërve, dhe shpresa është që entuziazmi ta shtyjë përpara ekipin ballkanas edhe “Estadio do Dragao” të Portos ndaj Portugalisë vendase. Luhet në 20:45 dhe në radhët e maqedonasve janë edhe lojtarët shqiptarë Visar Musliu, Ezgjan Alioski, Arijan Ademi, Enis Bardhi dhe Erdon Daci. Ekipi i trajnerit, Blagoje Milevski, nuk do të ketë Nikolovin, me Ademin në dyshim, por kthehen Elmas e Kostandinov.

“Ne nuk jemi këtu si turistë, – tha tekniku i miqve, – respekti ynë për kundërshtarin është maksimal, por synimi ynë është për të fituar ndeshjen dhe për të shkuar në Kupën e Botës. Ne nuk mund të kemi asnjë objektiv tjetër. Ne fituam jashtë fushe me një ekip të madh si Italie, kampione e Europës në fuqi. Nuk duam të ndalemi këtu”.

Gjithsesi, në stadiumin e Portos është favorite Portugalia vendase, e udhëhequr nga Kristiano Ronaldo. Luzitanët u përgatitën të qetë pas fitores së vështirë ndaj Turqisë. Kanselo kthehet nga pezullimi, dhe Pepe nga dëmtimi. “Mbrëmë përpara sesa të flija kam menduar gjatë për ndeshjen, – tha Kristiano, – menjëherë pas ekzekutimit të himnit, ekipi ynë duhet të nisë lojën me energjinë dhe pozitivizmin që duhet për sfida të tilla. Unë u bëj thirrje shokëve të mi që ta bëjmë këtë, dhe jam i bindur se mund ta bëjmë. Ne ia dalim me tifozët tanë në krah, ashtu siç i patëm ndaj Turqisë. Jam i sigurt se do të fitojmë”.

Po në orën 20:45, do të luhet finalja tjetër e plej ofit mes Polonisë e Suedisë në stadiumin “Shlaski” të Horzhovit.

Sfidanti.al