Kështu u shpreh pas gare dhe kështu është me të vërtetë. Pas një konkurrimi të fortë në Çmimin e Madh të Arabisë Saudite, ishte Maks Vertapen që doli fitimtar duke përsëritur atë që bëri në sfidën e fundit të sezonit të kaluar. Holandezi i Red Bullit shfrytëzoi shpejtësinë e makinës së tij në xhirot e fundit për të parakaluar Ferrarin e Sharl Lëklerkut pikërisht në kthesën finale të pistës, e për të dalë i pari me vetëm gjysmë sekondi epërsi. Kampioni i botës në fuqi u ndihmua nga një makinë sigurie virtuale, pas një përplasjeje në pistë, që i afroi makinat dhe po ashtu bëri që shoku i tij i skuadrës, Sergio Perez të dilte i humburi i madh sepse e kishte bërë ndalesën për të ndërruar gomat pikërisht përpara aksidentit. Në kushte normale, meksikani do ta kishte fituar garën me Red Bullin e tij. Fitoret duan edhe fat, ndonëse fati shpesh ndihmon të fortët. Pas Verstapenit dolën dy makinat Ferrari, ndërsa Ljuis Hamilton doli i 10-ti. Anglezi, 7 herë kampion i botës, u ngjit deri në vendin e 6-të, por edhe ai pati probleme në ndërrimin e gomave duke u vonuar sepse 3 makina radhazi patën defekte (Alonso, Riçardo, Botas). Lëklerk kryeson Botërorin e Formula 1 me 12 pikë më shumë sesa Karlos Sainz po i Ferrarit dhe 20 pikë më shumë sesa Verstapen.
Sfidanti.al