Më në fund himni italian u këndua fort dhe madje shumë larg Apenineve. Kishte dy vjet e gjysmë, gati, 3, që kjo gjë nuk ndodhte, por tashmë Ferrari e arriti fitoren në Formula 1 dhe mediat ndërkombëtare kanë nisur të thonë se “duhet të mësohemi me himnin e Italisë”. Sharl Lëklerk ndihmoi edhe himnin e Principatës së Montekarlos, meqë është qytetar i atij vendi, ndërsa fitoi me meritë të plotë Çmimin e Madh të Bahreinit. “Jam shumë i lumtur, – tha Lëklerku, – dy vitet e fundit kanë qenë tepër të vështirë për ne. Ne e dinim se do të kishim një mundësi të madhe, dhe punuam shumë për t’ia dalë. Kjo është mënyra më e mirë për ta nisur sezonin. Vendi i parë në prova, xhiroja më e shpejtë dhe dy vendet e para bashkë me Karlosin. Beteja me Maksin ishte shumë e fortë dhe jam tepër i lumtur që ia dola”.
Sfidanti.al