Përfundimi i “L’Ekipit” për Paris SG: U ndëshkua nga “Mbreti” Benzema!

Se ndaj kujt do të luanin e tregoi atmosfera para ndeshjes. Tifozët e Realit, që kishin dalë me mijëra për të pritur skuadrën për sfidën në “Bernabeu”, i treguan Paris SG se do të kishin ndeshjen më të vështirë të jetës së tyre. Ashtu edhe ndodhi, dhe pavarësisht një pjese të parë shumë të mirë, skuadra franceze u eleminua nga Championsi. Diçka e pabesueshme në pamje të parë, ndërsa Mbape ishte i papërmbajtshëm në 45’ e para duke shënuar, dhe Mesi zotëroi mesfushën, por rrëzimi ndodhi për vetëm 17 minuta, kur Karim Benzema shënoi 3 gola dhe Reali kaloi me rezultatin e përgjithshëm 3-2.

Jo vetëm kaq, por PSG bëri skandal në fund të ndeshjes, kur presidenti Al Helaifi thuajse u përlesh me një punonjës të Realit, duke e kërcënuar me vdekje, aq sa u ndalua nga truprojat dhe policia. Po ashtu, Donaruma dhe Nejmar thuajse u zunë me grushta në dhomën e zhveshjes. Si shpjegohet një dorëzim i tillë? Ish-ylli i Mançester Junajtidit, Rio Ferdinand, kritikoi menaxhimin e klubit, faktin që ka 3 ego të mëdha si Mesi, Mbape dhe Nejmar, dhe PSG është një grup yjesh, jo një ekip. Përpara ndeshjes, Mbape më shumë u duk i mahnitur nga “Bernabeu” sesa i përqëndruar tek ndeshja.

“Të ndëshkuar nga Mbreti, – shkruan “L’Ekip”, – zhgënjim i madh për parizienët! Gabimi i Donarumës shpejtoi fundosjen dhe eleminimin. Benzema ishte mbretëror!” “Ky është Madridi”, – titullon e përditshmja “Marka”, që ka në kopertinë fotone madhe të Karim Benzemasë, autor i të tre golave. “Ndjejmë që ndaj nesh u bë një padrejtësi, – tha trajneri i PSG-së, Poçetino që rrezikon shkarkimin, – sepse pati faull të dukshëm të Benzemasë ndaj Donarumës. Pas atij momenti ndeshja ndryshoi. Për 3 të katërtat e dy ndeshjeve ne ishim skuadra më e mirë dhe është mëkat që nuk u kualifikuam”.

Madrilenët festuan me të drejtë si të çmendur në dhomën e zhveshjes, pasi realizuan një tjetër përmbysje të madhe. “Ky sukses shpjegohet me faktin se ne përballuam vështirësitë, dhe nuk u dorëzuam, – tha trajneri Ançeloti, – vuajtëm në pjesën e parë. Pas pushimit, Benzema na ndihmoi të nisnim përmbysjen, dhe patëm energji për ta bërë. Në 30 minutat e fundit, vetëm një ekip ishte në fushë”. Tifozët madrilenë, pas ndeshjes, thirrën e brohoritën, duke i kujtuar Mbapesë se ky është Reali dhe bën mirë të bëhet pjesë e tij.

Sfidanti.al