Bundesliga, solidaritet me Ukrainën: Minutë heshtjeje dhe 1 milionë euro ndihmë!

Futbolli këto kohë del në plan krejtësisht të dytë. Këtë e kuptojnë kudo, dhe solidariteti nuk mungoi as në Bundesligën gjermane. Në ndeshjet e luajtura këtë fundjavë u shpalos flamuri i Ukrainës, ndërsa u bë thirrje për t’u ndalur agresioni i Rusisë ndaj vendit fqinj. Siç duket edhe në fillimin e ndeshjes mes Bajernit të Mynihut e Leverkusenit, ekipet ishin veshur me kostume sportive me kombinim të ngjyrave të flamurit ukrainas. Përpara sesa të sinjalizohej fillimi, u mbajt një minutë heshtjeje në kujtim të viktimave të popullsisë civile në qytetet dhe fshatrat e vendit të Europës Lindore, ndërsa mesazhi i shkruar qartë në dy gjuhë, gjermanisht e anglisht ishte “Ndaloni luftën”. Skuadrat e Bundesligës do të dhurojnë 1 milionë euro për qëllime humanitare, që do të përdoren për refugjatët ukrainas dhe këdo që ka nevojë.

Vetëm pas kësaj shfaqjeje solidariteti u luajtën ndeshjet, në të cilat ndodhi një e papritur. Bajerni u ndal në “Alianc Arenë” në një barazim 1-1 pas golave të shënuar nga Niklas Zyle për vendasit dhe një autogol i Tomas Mylerit për miqtë nga Leverkuseni. Ndeshja ishte e fortë dhe me raste për të dyja skuadrat, por rezultati nuk ndryshoi. Bajerni kryeson renditjen me 59 pikë, por Dortmundi ka mundësi të afrohet në 6 pikë nëse fiton ndeshjen e tij këtë javë.

Sfidanti.al