Italianët këmbëngulin: Ferari ka probleme të mëdha

Në kryesinë e klubit të Ferrarit, bëhen përpjekje që t’u shmangen thënieve se Formula 1 e sezonit 2017 ka qenë problematike edhe para fillimit të provave dimërore. Shenjat e para, në fakt, u konstatuan gjatë javës së shkuar në Torino, ku përfaqësuesit e ekipeve të Formulës 1 morën pjesë në ceremoninë e promovimit të furnitorit të gomave në F1, Pireli, por nuk ishte i pranishëm shefi i Ferrarit, Mauricio Arivabene. “Nuk isha shumë larg nga Maranelo, por nuk pata kohë që të vija, duke qenë se kam shumë angazhime”, u deklaroi Arivabene mediumeve italianë.

Më pas, filluan edhe spekulimet se Ferrari ka bërë një gabim të madh në dizajnimin e bolidit (makinës së garës) për vitin 2017. Ferrari, ndërkohë, nga ana tjetër, pati një periudhë shumë “të qetë” dimërore, në ndryshim nga vjet, kur paralajmëroi një luftë të ashpër për titullin e kampionit. “Nuk do të ishte diçka e hijshme që të flasim për pritshmëritë. Rregullat janë ndryshuar dhe bolidi i ri do të jetë krejt ndryshe nga ai i mëparshmi. Ne i dimë mirë cilësitë tona dhe se cilin bolid duhet të prodhojmë. Në ekipin tonë, rezultatet lidhen me pritshmëritë, por është ende shpejt që të flasim që tani për konkurrencën”, deklaroi, dje, zëdhënësi I Ferrarit, Alberto Antonioni.

Sfidanti.al